Ekstrakti i hapësirës/Tetova skeleton city – Olesja Lami

Ekstrakti i hapësirës/Tetova skeleton city – Olesja Lami

Tetova, një qytet tepër i larmishëm në njerëzit që e “jetësojnë” ashtu edhe në tipologjitë
ndërtimore që e formojnë. “Extrakti Hapesirës_Tetova Skeleton City” tenton të vërë përball pjesë të ndryshme të qytetit dhe sesi mund të komplementojnë ato njëra-tjetrën, me funksionet që strukturojnë hapësirën duke tërhequr gjithnjë e më shumë grupe shoqërore në hapësirat publike.
 

“Real differences are differences of essences or attributes of a single substance” (Ndryshimet e vërteta janë ndryshime në esencë, apo atribute të një substance të vetme)_ cituar nga filozofia e Deleuze

 

Filozofia e Deleuze është përkthyer si raporti midis Fashës Skelet (një term që e cilëson hapësirën si element strukturues të qytetit) dhe Esencës së Hapësirës (vlerave reale që zotërojnë qendrat urbane). “Ekstrakti i Hapësirës”_ është ruajtja e funksionit primar, amplifikimi i tij dhe shkrirja e pjesëve të tij me funksionet që vijnë nga “bërthamat_ qendrat” e tjera.

 

Në këtë vizion mbi zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe ambiental të qytetit të Tetovës dhe të rrethinave të tij, jepet një zgjidhje alternative e cila në qendër të saj ka funksionin që mbart një “bërthamë_qendër” jashtëqytetase apo brendaqytetase. Vizioni nis nga një shkallë territoriale, ku përfshihet hapësira brenda trekëndëshit Gostivar-Tetovë-Shkup dhe shkallë shkallë futet brenda qytetit, duke arritur deri në trajtimin e një hapësire publike apo objekti publik. Projekti “Ekstrakti i Hapësirës_ Tetova Skeleton City” mundohet të përcjellë alternativa zhvillimi pa vendosjen e barrierave fizike ose mendore. Një vizion ku qyteti është i lirë të modulojë, ose ristrukturojë formën e tij në përputhje me përhapjen e funksioneve nga qendrat drejt periferive. Një nxitje për zhvillim në përputhje me kërkesat e komunitetit, krijimi i hapësirave publike të cilat ofrojnë komoditetin e hapësirave private, dizenjimi i hapësirës urbane në varësi të funksionit mbizotërues në zonë, për të krijuar diversitete (shkëmbime socile, kulturore dhe ekonomike).

 

Tetova një qytet i cili që në vizitën e parë më la një shije shumë ftuese, një qytet që mirëpret edhe në ftohtësinë e dimrit, ku njerëzit që e jetësojnë krijojnë larmishmëri në kulturë dhe në përjetimin e hapësirave publike. Çfarë më bëri përshtypje ishte gjallëria që gjeje nëpër rrugicat e pazareve të fshehura pas fasadave të qytetit, qetësia e lagjeve periferike, apo pontecialin mbledhës të grupeve shoqërore që kishin qendrat historike. Megjithatë ndjehej që të gjitha këto fragmente të qytetit mbeteshin si të humbura dhe i gjeje papritur në momentin kur përballeshe me to. Në këtë aspekt shtrihet vizioni i paraqitur në këtë projekt  “Extrakti Hapesirës_Tetova Skeleton City”, ku elementet formuese të tij bëhen më të dukshëm dhe amplifikojnë potencialin që ato zotërojnë. Ky zhvillim shihet në relacion me shpirtin e komunitetit, me plotësimin e komoditeteve që një hapësirë publike mund ti ofroi banorëve të qytetit.

 

Elementet kyç të këtij projekti janë: 1. Fashat (“hapësira strukturë” mbajtëse të qytetit_ ose hapësira “Skelet”, term i përdorur për të krahasuar këto hapësira me skeletin njerëzor, strukturën mbajtëse të trupit të njeriut); 2. Bërthamat_ Qendrat (pikat më potenciale brenda apo jashtë qytetit që mbartin “thelbin_ identitetin” e qytetit; 3. Funksioni_ karakteristika e bërthamave, magneti për grupet shoqërore.

 

Thelbi qëndron në evidentimin e qendrave më potenciale brenda fashave, ruajtja e funksionit që ato zotërojnë dhe amplifikimi apo përforcimi i këtij funksioni, duke e parë në relacion me qendrat e tjera. Nëse rezultati është lidhja e disa qendrave të cilat komplementojnë nga ana fuksionale njëra-tjetrën, atëherë do të kemi krijimin e një fashe në miniaturë e cila do bëjë të dukshëm në qytet funksionin e saj primar, duke sjell zhvillim ekonomik, kulturor apo social brenda qytetit. Dy janë referencat e drejt për drejta të marra nga qyteti, Tetova e mbuluar nga një shtresë e magjishme bore dhe moria e oborreve private të rrethuar me muret e larta apo gardhet e gjelbëruara. Në këtë tentativë hapësira publike mundohet të sillet si hapësira private, të ofrojë siguri, komoditet dhe fluiditet në lëvizje, duke u bërë një vend mbledhës e tërheqës për komunitetin. Hapësira do jetë një element më shumë që do të amplifikoi funksionin e përmbajtur nga qendra. 

 

Duke e studiuar qytetin si në fragment, ashtu edhe në tërësinë që këto pjesëza krijojnë, formohet një “skelet-hipotezë” zhvillimi i cili strukturon dhe bëhet burim i jetës së qytetit. Qyteti shihet si një organizëm i mirëfillt, me disa shtylla kurrizore që mbajnë esencën e tij dhe ndihmojnë në vënien në lëvizje të çdo organi tjetër periferik të qytetit.

Vizioni për një Tetovë të rikrijuar nga Esenca e Hapësirës (nxjerrja në pah e elementëve të saj bazik).

No related posts.

Related posts brought to you by Yet Another Related Posts Plugin.

Lini koment