Prezantohen disa dimensione të zhvillimit urban të Tetovës

Prezantohen disa dimensione të zhvillimit urban të Tetovës

Të enjten në komunën e Tetovës, është mbajtur prezantimi publik i strategjisë për zhvillim urban të qytetit të Tetovës. Gjatë prezantimit ishte i pranishëm kryetari i Kuvendit qendror të PDSH-së, Arbër Xhaferri, që njëkohësisht ka qenë këshillues i projektit, profesorë të arkitekturës nga Universiteti i Prishtinës dhe Tiranës, dhe arkitektë të shumtë.

Prezantimi u cilësua rrjedhojë e bashkëpunimit të frytshëm të komunës së Tetovës me Universitetin për arkitekturë dhe zhvillim urban “Polis” dhe Institutin “Coplan”.

Kryetari i komunës së Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti, tha se është kënaqësi të shpalosim disa nga idetë tona për zhvillimin urban të qytetit të Tetovës në dekadat e ardhshme.

“Në këtë studim të rëndësishëm të zhvillimit urban të qytetit shpresoj që çdonjëri nga Ju të japë kontribut për ndërtimin e një qyteti siç e ëndërrojmë të gjithë – një qytet më modern, shumëdimensional dhe më human, që zhvillohet sipas synimit për ndërtimin e një qyteti që përmbush nevojat e së tashmes duke përfshirë edhe mundësitë që ofron e ardhmja”, tha Bexheti.

Sipas tij, sot, zhvillimi urban nuk mund të kuptohet si një objektiv i thjeshtë, por si një prioritet. Ky nocion përbën alternativën e vetme të mundshme për të luftuar shkatërrimin ekonomik dhe për të reduktuar pabarazinë ekonomike e sociale.

Studentë të dalluar nga Universiteti për zhvillim urban “Polis” nga Tirana, në mënyrë vizuale prezantuan disa dimensione të zhvillimit urban të Tetovës në periudhën e ardhshme, ndërsa theksuan se kjo është një punë e madhe që pritet të kryhet në të ardhmen. Pra, ky është vetëm fillimi i përpilimit të një plani për zhvillimin urban të Tetovës. Prezantimet ngjallën kureshtje dhe u shoqëruan me një debat të frytshëm.

Ndryshe, komuna e Tetovës, është e para komunë në Maqedoni ku kryhet ky studim me anë të të cilit synohet të arrihet një produkt cilësor që do të ndihmojë të përmirësojë jetesën komunitare dhe të shtrojë një bazë të sigurt për zhvillim në të ardhmen.

Foto1

No related posts.

Related posts brought to you by Yet Another Related Posts Plugin.

Lini koment